Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë në fazën përmbyllëse të procesit përgatitor, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash që do të mbahen të dielën e 9 nëntorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se të shtunën fletëvotimet do të shpërndahen për në komunat ku mbahet ky raund zgjedhjesh.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 9 nëntor. Aktivitetet po zhvillohen sipas planit dhe para ditës së zgjedhjeve, të shtunën, do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor në të gjitha komunat ku do të votohet, përfshirë edhe fletëvotimet dhe pajisjet tjera të nevojshme për procesin e votimit”, tha Elezi për RTKLive.
