Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, Alisa Jetullahu, ka reaguar pas deklaratës së gazetarit dhe kryeredaktorit të ATV-së, Leart Hoxha, i cili tha në emision televiziv se e din një rast kur një kandidate për deputete ka shpenzuar rreth 250 mijë euro për t’u bërë deputete.
Përmes një postimi në “Facebook”, Jetullahu kërkoi nga Hoxha të sqarojë deklaratën e tij dhe të bëjë publike faktet nëse aludimet lidhen me të.
Postimi i saj i plotë:
“Në një emision, gazetari Leart Hoxha, kryeredaktor në ATV, deklaroi se ai e di një rast kur një kandidate për deputete ka shpenzuar rreth “çerek milion euro” për t’u bërë deputete.
Si gazetar, e veçanërisht si kryeredaktor në një medium jo të vogël, ai, derisa supozohet se i mëson gazetarët e deskut të tij se duhet për secilin informacion të kenë faktim të deklarimeve e për më tepër nga dy-tre burime dhe se duhet të jenë konkret, preciz, të saktë e të qartë, vetë Hoxha në deklaratë nuk u tregua as konkret, as i saktë, as preciz e as i qartë.
Por, derisa emër nuk përmendi, kjo deklaratë për mua nuk nënkuptonte asgjë, përveç njohje të faktit se gazetaria më të vërtetë sot ka probleme, kur një kryeredaktor flet pa të dhëna konkrete në emision. Megjithatë, më vonë, pash një organizim të strukturuar duke aluduar se Hoxha e kishte për mua kur po fliste.
Prandaj, shtyhem të reagoj. Së pari, unë absolutisht e kam ditur sa terren i vështirë është politika. Veçanërisht për vajza e gra të reja. Jo rastësisht, ne ende na duhet kuotë për të garuar, sepse ekziston një strukturë e tërë e ndërtuar mirë, me tone patriarkale, që e ka angazhim të vazhdueshëm luftën sepcifikisht e veçanërisht kundër grave në politikë. Jo rastësisht, deri me 80 për qind e grave janë të papuna në Kosovë.
