Takimi konsultativ i thirrur për të martën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e partive kryesore të ish-opozitës, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën. Në Zyrën e Presidencës nuk treguan nëse do të mbahet takimi edhe pa këto parti parlamentare.
Haxhiu i ka ftuar liderët apo përfaqësuesit e subjekteve politike në një takim konsultativ për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Megjithatë, ftesa është pritur me rezerva nga partitë e ish-opozitës, të cilat kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si duhet të tejkalohet bllokada politike dhe të formohen institucionet e reja.
PDK-ja ka kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, ndërsa Aleanca ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të procesit institucional. Të dyja subjektet kanë vlerësuar se takimi i thirrur nga Haxhiu nuk është rruga për zgjidhjen e ngërçit aktual. Ndërkaq, sot, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Haxhiu. Ai tha se takimet e vetme që mund t’i mbajë është me kryetarët e partive, në këtë rast, liderin e LVV-së, Albin Kurti.
Në anën tjetër, çështja e presidentit mbetet një nga nyjet kryesore të krizës institucionale. Pikërisht në këtë drejtim, analisti i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, vlerëson se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas Baraliut, edhe pas refuzimit të LDK-së për të marrë pjesë në takimin e Haxhiut, LVV-ja duhet të vazhdojë komunikimin me partinë e Lumir Abdixhikut, me qëllim që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
“ Mbetet i vetmi solucion dhe e vetmja alternativë ose zgjidhje që me LDK-në fituesi i zgjedhjeve të ketë kontakt dhe të bëjë një zgjidhje… qoftë marrëveshje vetëm për presidentin. Të tjerat janë të zgjidhshme. Çështja e votave për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarëve ekziston, po ashtu marrëveshja për votim në pako ekziston. Po ashtu, edhe sa i përket qeverisë, numrat ekzistojnë. Çështje kyçe e ngërçit është presidenti”, thotë ai.


