Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve, të dyshuar për keqpërdorim gjatë testit me shkrim për patentë shofer.
Sipas përgjigjes së Gjykatës për KosovaPress, ndaj A.G., H.K. dhe E.G. është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.G., H.K. dhe E.G.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Sipas aktvendimit, masa e ndalimit është caktuar për një muaj, duke filluar nga 31 gushti 2026.
Policia e Kosovës kishte njoftuar më 31 gusht se kishte ndërmarrë veprime operative dhe hetimore pas dyshimeve se persona të caktuar po përdornin pajisje telekomunikuese dhe teknologjike për t’u mundësuar kandidatëve marrjen e përgjigjeve nga distanca gjatë testit me shkrim për patentë shofer.

