Tre vjet e gjysmë pasi dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova vazhdon të presë që kërkesa e saj të kalojë hapin e parë procedural. Ndërsa zgjerimi është rikthyer në qendër të agjendës së BE-së, perspektiva evropiane e Kosovës mbetet e bllokuar. Çfarë e mban peng procesin dhe a ka ende rrugë për ta zhbllokuar?
Kur Irlanda mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 korrik, zgjerimin e vendosi në mesin e prioriteteve kryesore për gjashtë muajt e ardhshëm.
Megjithatë, në programin e saj, nuk ka asnjë referencë të veçantë për Kosovën.
A është kjo vetëm një mungesë simbolike apo një tregues i “vendit” që Kosova zë sot në agjendën e zgjerimit të BE-së?
Në përgjigjen që i dha Radios Evropa e Lirë, Presidenca irlandeze sqaroi se mbështet përparimin e të gjitha vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, përfshirë Kosovën, drejt anëtarësimit në BE.
Por, e shoqëroi këtë mbështetje me një formulim të dëgjuar shpesh në Bruksel: përparimi do të varet nga kushtet që duhet të përmbushen dhe nga zbatimi i reformave të nevojshme.
Prapa këtij qëndrimi diplomatik fshihet një realitet shumë më kompleks për Kosovën.
Një proces i bllokuar që në hapin e parë
Redaktori i Radios Evropa e Lirë për çështjet evropiane, Rikard Jozwiak, thotë se Kosova, aktualisht, nuk është në mesin e prioriteteve të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kur Irlanda flet për zgjerimin, sipas tij, fokusi është te vendet që tashmë kanë avancuar më shumë në procesin e anëtarësimit, si Mali i Zi dhe Shqipëria, por edhe tek Ukraina dhe Moldavia, të cilat, pas agresionit rus në Ukrainë, kanë fituar rëndësi të re strategjike për BE-në.
“Kosova ka ngecur në zgjerim që kur ka dorëzuar kërkesën e saj për anëtarësim në fund të vitit 2022, dhe nuk pres ndonjë lëvizje as në gjashtë muajt e ardhshëm”, thotë Jozwiak.
Sipas procedurave të BE-së, është presidenca e Këshillit të BE-së ajo që vendos nëse një aplikim futet në shqyrtim.
Kosova e dorëzoi kërkesën e saj më 15 dhjetor 2022, në ditët e fundit të Presidencës çeke.
Por, asnjë nga presidencat që pasuan, nuk e shtyu përpara.
Si rezultat, aplikimi vazhdon të mos kalojë as fazën e parë formale: shqyrtimin nga Këshilli dhe dërgimin në Komisionin Evropian për vlerësim.
Jozwiak thotë se pengesat nuk lidhen me presidencën e radhës, por me mungesën e konsensusit politik brenda vetë Bashkimit Evropian.
“Presidenca e fundit që provoi të testonte gatishmërinë e Këshillit për t’ia përcjellë aplikimin e Kosovës Komisionit Evropian, ishte Suedia, në vitin 2023. Që atëherë, askush nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë”, thotë Jozwiak.
Ai shton se nuk ka asnjë shenjë se pesë shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – kanë ndryshuar qëndrimin e tyre.
Për këtë arsye, sipas tij, Irlanda mund të arrijë shpejt në përfundimin se nuk ekziston mbështetja e nevojshme politike për ta çuar përpara aplikimin e Kosovës dhe, rrjedhimisht, të mos e hapë fare këtë çështje në Këshillin e BE-së.
Radio Evropa e Lirë kërkoi edhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me pritjet nga Presidenca irlandeze dhe hapat që synon të ndërmarrë për avancimin e procesit të integrimit evropian, por deri në publikimin e këtij materiali nuk mori përgjigje.
Këtë javë, në Prishtinë u mbajt takimi i Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ku BE-ja kërkoi përshpejtimin e reformave, veçanërisht në administratën publike, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë ato të komuniteteve joshumicë.
Qeveria e Kosovës, nga ana e saj, riafirmoi përkushtimin për zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Përtej reformave të Kosovës
Ngecja e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, sipas njohësit të politikës së zgjerimit në Iniciativën Evropiane për Stabilitet (ESI), Adnan Qerimagiq, nuk mund t’i atribuohet vetëm mungesës së reformave apo zhvillimeve politike në vend.
Sipas tij, përgjegjësi mban edhe vetë Bashkimi Evropian, i cili ende nuk e ka ndërmarrë as hapin e parë procedural për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Qerimagiq argumenton se BE-ja ka dëshmuar edhe më herët se mund të gjejë zgjidhje juridike për ta avancuar marrëdhënien me Kosovën, pavarësisht faktit se pesë shtete anëtare nuk e njohin pavarësinë e saj.
Si shembull ai përmend Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, për të cilën u gjet një formulë ligjore që mundësoi hyrjen e saj në fuqi.
“Një qasje e ngjashme mund të zbatohet edhe për ta çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim”, thotë Qerimagiq për Radion Evropa e Lirë.
Pengesa nuk është vetëm procedurale, sipas profesorit në Universitetin e Gracit, Florian Bieber.
