Komuna e Prishtinës ka lansuar platformën digjitale “mbeturinat.com”, përmes së cilës qytetarët do të mund të kërkojnë largimin e mbeturinave vëllimore nga shtëpitë e tyre.
Platforma u prezantua nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, i cili tha se ky shërbim do të jetë falas dhe synon të lehtësojë menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Për një periudhë mbi 12 mujore, për shkak të mbylljes së deponisë për dërgimin e mbeturinave vëllimore o inerte nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, ofrimi i këtyre shërbimeve ka qenë i pamundur. Megjithatë, pas zyrtarizimit të koalicionit nga Partia Demokratike e Kosovës për bashkëqeverisje në komunën e Prishtinës dhe marrjen e mandatit si drejtor i Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me kryetarin Rama dhe komunën e Prishtinës, kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për largimin dhe krijimin e një procedure për zgjidhjen sa më të mirë të mbeturinave vëllimore në kryeqytet”, tha ai.
Sipas tij, tashmë është siguruar lokacioni për pikën tranzitore dhe janë përmbyllur procedurat për pajisje me leje mjedisore, ndërsa ka nisur edhe largimi masiv i mbeturinave nga zonat urbane të Prishtinës.
“Sot jam më se i lumtur që po shkojmë një hap tej. Nga tani, qytetarët e Prishtinës mund të kërkojnë largimin e mbeturinave vëllimore nga shtëpitë e tyre përmes platformës digjitale mbeturinat.com. Një zgjidhje e thjeshtë, e shpejtë dhe falas, që kërkon pak minuta për ta aplikuar”, deklaroi Retkoceri.
