Numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2 mijë e 571 persona, bëri të ditur të mërkurën grupi për të drejtat e njeriut HRANA me seli në SHBA, teksa sundimtarët e Republikës Islamike po përballen me valën më të madhe të mospajtimit në vite.
Sipas HRANA-s, deri më tani janë verifikuar vdekjet e 2 mijë e 403 protestuesve, 147 individëve të lidhur me qeverinë, 12 personave nën moshën 18 vjeç dhe nëntë civilëve jo-protestues.
Ndërkohë, një zyrtar iranian deklaroi të martën se rreth 2 mijë persona ishin vrarë, duke shënuar herën e parë që autoritetet kanë dhënë një shifër të përgjithshme të viktimave nga më shumë se dy javë trazira në mbarë vendin.
Në anën tjetër, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u bëri thirrje të martën iranianëve që të vazhdojnë protestat, duke premtuar se “ndihma është në rrugë e sipër”. I pyetur se çfarë nënkuptonte me këtë deklaratë, Trump u tha gazetarëve se do të duhet ta kuptojnë vetë.
