Rreth 6 mijë protestues nga gjitha trojet shqiptare pritet të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) më 16 nëntor në Strasburg, përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Protesta do të mbahet në shenjë kundërshtimi ndaj padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se janë bërë koordinime me këshillin organizativ në Evropë dhe me mërgatën shqiptare.
“Ne jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve, është këshilli organizativ në Evropë që e kemi bërë para disa ditësh, kemi pasur takime me shumicën e shteteve të Evropës me mërgatën, kjo mërgatë është për lavdatë që na ka ndihmuar në këtë rast. Ne shprehom që me datë 16 nëntor në ora 13:00 para Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, do të jemi prezent aty dhe do të ngrisim zërin pikërisht ku në atë objekt është ngritur një rezolutë për Gjykatën Speciale, një rezolutë e një njeriu të çmendur të Dick Marty, i cili ka mashtruar deputetë e Evropës me një dokumentacion, me një shpifje me ambasadorin serb dhe ambasadorin rus dhe e ka bërë atë rezolutë që gjoja në Shqipëri ka ekzistuar një shtëpi e verdhë. Kjo është një gjykatë e njëanshme, një gjykatë e padrejtë, ku në botë nuk ekziston gjykatë e njëanshme,” tha ai.
Sipas tij, shumë pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar bileta lirë për në Bazel dhe Shtutgard.
“Sipas informacioneve, nga Prishtina nuk besoj që do të ketë autobusë, kanë gjetur bileta lirë nga Tirana dhe Shkupi, kanë gjetur për Bazel edhe Shtutgard kanë marrë bileta shumë lirë, që fati i jonë dhe i qytetarëve që do të udhëtojnë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria kanë gjetur bileta për Bazel të Zvicrës kanë gjetur shumë lirë. Është një numër bukur i madh, kryetari i këshillit organizativ atje, ne presim që numri të jetë mbi 5 deri 6 mijë veta, të jenë para Strasburgut atë ditë. Nga Kosova besoj do të kalojë numri mbi 1000 udhëtarë që do të vijnë,” tha Gucati për eo.
