Që nga data 1 qershor deri më tani, në platformën online kanë aplikuar rreth 8 mijë maturantë nga 18 mijë sa pritet të aplikojnë për Testin e Maturës Shtetërore, i cili do të mbahet më 20 qershor. Kështu kanë bërë të ditur drejtues të Ministrisë së Arsimit. Ndërkaq, njohës të fushës së arsimit vlerësojnë se Ligji i ri i Maturës do të rrisë kontrollin sa i përket mbarëvajtjes së testit. Rezultatet e testit do të shpallen më 29 qershor.
Më 20 qershor rreth 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen Testit të Maturës Shtetërore. Edhe këtë vit aplikimi po bëhet në platformën online eKosova. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, në një përgjigje për Radio Kosovën dha detaje rreth zhvillimit të këtij procesi.
“Që nga 1 qershori ka filluar aplikimi për Testin e Maturës përmes platformës eKosova dhe deri tani kanë aplikuar rreth 8 mijë maturantë. Koordinatorët e shkollave kanë filluar aprovimin e këtyre aplikimeve, që do të thotë se përgjegjës për aprovimin janë koordinatorët e shkollave. Aplikimi do të zgjasë deri më 12 qershor. Testi i Maturës, siç e dini, do të organizohet më 20 qershor, kurse rezultatet pritet të publikohen më 29 qershor”, tha Elezi.
Elezi bëri thirrje që të gjithë maturantët që hasin probleme gjatë aplikimit të kontaktojnë koordinatorët e shkollave, në mënyrë që të mos e lënë aplikimin për ditën e fundit.
“Të gjithë nxënësit që ende nuk e kanë kryer aplikimin, nëse kanë probleme me llogarinë në eKosova, të kontaktojnë koordinatorët e shkollave dhe sigurisht do të gjejnë zgjidhje, në mënyrë që të mos e lënë për ditën e fundit aplikimin për maturë”, theksoi ai.
