Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë pas vrasjes së një gruaje në Gjilan, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.
Në të njëjtën ngjarje, jetën e humbi edhe vëllai i saj, ndërsa një person tjetër, që është xhaxhai i viktimave, mbeti i plagosur.
Përmes një reagimi, RrGK ka theksuar se vrasja e një gruaje nga bashkëshorti i saj është akt i rëndë dhune, i cili nuk mund të arsyetohet me konflikte apo mosmarrëveshje të mëhershme.
“Asnjë rrethanë nuk e justifikon marrjen e jetës së një gruaje”, thuhet në reagimin e organizatës.

