Emri i të cilit u përmend si shpresa e fundit për zgjidhjen e çështjes së presidentit, Bekim Sejdiu, është tërhequr nga kandidatura për këtë post. Sejdiu tha se vendimin e mori pasi nuk gjeti përkrahjen e nevojshme nga partitë politike. Tërheqja e tij shihet si një goditje e re për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se pavarësisht kësaj, LVV-ja do të vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një figure konsensuale, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja.
Rrustemi në një intervistë për Ekonomia Online tha se Vetëvendosje e respekton vendimin e Sejdiut, por shprehu keqardhje për, siç e cilësoi, një mundësi të humbur për Kosovën.
“E kemi parë lajmin për tërheqjen e profesor Bekim Sejdiut si kandidat konsensual për president të Republikës pas marrëveshjes së LVV-së dhe LDK-së. Ai kishte dhënë edhe arsyet e tij publike. Nuk e di se a ka pasur komunikim mesazhesh të tjera, por lexova natyrisht se ai tha që ka njoftuar zotëri Kurtin dhe zotëri Abdixhikun. Ka dhënë arsyet e tij që ndërlidhen me procesin aktual politik edhe me refuzimin e 6 deputetëve të LDK-së për ta zbatuar ose për ta mbështetur marrëveshjen e arritur pas një procesi të vështirë të negociatave mes LDK-së dhe LVV-së. Qëndrimin e tij s’kemi tjetër veçse ta respektojmë, por gjithashtu shprehim keqardhje për një rast ideal të humbur për Kosovën që të kemi një president konsensual, jashtëpartiak, por edhe mbi të gjitha që do t’i jepte fund krizës aktuale politike sa i përket çështjes së presidentit”, tha Rrustemi.
Sipas tij, tërheqja e kandidaturës së Sejdiut e vështirëson procesin, por nuk nënkupton se Vetëvendosje do të heqë dorë nga përpjekjet për të gjetur një zgjidhje.
“Pa asnjë dyshim, tërheqja e zotit Sejdiu mund të shihet si një lloj goditjeje, do të thoja, për këtë procesin e zgjedhjes së presidentit pas kundërshtimit të pabazuar të 6 deputetëve të LDK-së. Natyrisht, ne do të vazhdojmë përpjekjet për të gjetur një president dhe për t’i shmangur zgjedhjet e katërta me radhë, të panevojshme, të kushtueshme, të dëmshme. Por megjithatë mbetet të shihet se si do të zhvillohet procesi politik tash e tutje”, u shpreh ai.
Rrustemi tha se nuk ka informacion nëse do të ketë një ftesë të re për partitë opozitare për një takim lidhur me presidentin, por theksoi se Vetëvendosje, sipas tij, i ka ftuar vazhdimisht partitë politike për të diskutuar këtë çështje.
“Nuk e di, nuk kam informacione, por Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht i ka ftuar të gjitha partitë politike. LDK është përgjigjur, PDK dhe Aleanca jo. Por dua ta përsëris edhe një herë që çështja e presidentit kërkon konsensus dhe askush as nuk duhet, as nuk mundet ta pengojë qeverisjen e stabilitetit institucional duke përdorur si pretekst procesin e zgjedhjes së presidentit që kërkon 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Rrustemi.



