Fluksi ka qenë shumë i lartë në vitin 2023 me 760 milionë euro, pasi deri në vitin 2022, stoku i investimeve të shqiptarëve në pasuri të paluajtshme jashtë vendit ka qenë vetëm 6.5 milionë euro.
Shqiptarët kanë rritur investimet në pasuri të paluajtshme jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vitet e fundit.
Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat mbi pozicionet e Investimeve të Huaja Direkte, stoku i investimeve që rezidentët shqiptarë zotërojnë në pronat jashtë kufijve ka kapur vlerën rekord me një stok 766.5 milionë euro në fund të vitit 2023.
Fluksi ka qenë shumë i lartë në vitin 2023 me 760 milionë euro, pasi deri në vitin 2022, stoku i investimeve të shqiptarëve në pasuri të paluajtshme jashtë vendit ka qenë vetëm 6.5 milionë euro, sipas Eurostat, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.
Të dhënat tregojnë se shqiptarët kanë dërguar jashtë vendit rreth 760 milionë euro për blerje pronash, një vlerë kjo sa 2.5% të PBB-së së vendit. Kjo shifër dëshmon për një akumulim të lartë kapitali në duart e individëve dhe kompanive shqiptare, të cilët po e zhvendosin pasurinë e tyre jashtë.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqet një profil krejtësisht të ndryshëm dhe shumë më agresiv në raport me investimet jashtë vendit. Maqedonia e Veriut raporton shifra modeste që nuk i kalojnë 3 milionë eurot, dhe vende si Serbia apo Mali i Zi nuk kanë të dhëna të publikuara.
