Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë kanë shënuar një rënie të lehtë, prej tre centësh gjatë kësaj jave, ndërsa pritet që të ketë ulje të mëtejme deri në fund të javës.
Kështu ka deklaruar për KosovaPress kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Zekim Istogu, sipas të cilit çmimi i naftës aktualisht sillet nga 1.70 deri në 1.72 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.34 deri në 1.36 euro.
Istogu ka thënë se mund të ketë rënie të çmimeve edhe për dy deri në tre centë deri në fund të javës, por ka theksuar se kjo varet nga zhvillimet në tregun ndërkombëtar.
“Çmimi i naftës sillet nga 1.70 deri në 1.72 euro për litër, ndërsa ai i benzinës nga 1.34 deri në 1.36 euro. Gjatë kësaj jave çmimet kanë rënë për tre centë. Pritet që çmimet të bien sërish, pasi gjithçka varet nga çmimet që zhvillohen në tregun ndërkombëtar. Pres që edhe dy deri në tre centë të ketë rënie të çmimeve deri në fund të javës, por kjo nuk është e sigurt”, ka deklaruar Istogu për KosovaPress.
Ai ka bërë të ditur se lëvizjet e çmimeve të derivateve varen nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare.
