Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 380, prej të cilëve 25 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 355 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Ndërkaq, dy subjekte politike që ishin paraparë të merrnin miratimin për certifikim sot, nuk kaluan.
Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti tha se emërtimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës”, është në kundërshtim me parimet e certifikimit të subjekteve politike, pasi, sipas tij, ky emërtim është shumë i ngjashëm me brendin dhe identitetin historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ai theksoi se “Lidhja e Prishtinës” është përdorur nga vetë LDK-ja në të kaluarën, konkretisht në zgjedhjet e vitit 2017, ku ka qenë pjesë e komunikimit zyrtar të partisë në faqen e saj.
Lidhur me këtë, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala, u shpreh se megjithëse në fillim kanë pasur dyshime serioze për emërtimin “Lidhja e Prishtinës”, pas shqyrtimit të thelluar ligjor dhe praktik, kanë arritur në përfundimin se nuk ka bazë ligjore për ta refuzuar certifikimin e këtij subjekti politik.
Megjithatë, pasi u hodh në votim, me pesë vota për, një kundër dhe disa abstenime, certifikimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës” u refuzua.