Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë zjarri gjatë një kontrolli të një automjeti në fshatin Gazivod të Zubin Potokut.
Rasti ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 16:15, kur zyrtarët policorë kanë ndaluar për kontroll rutinor një automjet me targa vendore, të drejtuar nga një person i lindur në vitin 1993, ndërsa pasagjer ishte një person i lindur në vitin 1973.
Sipas Policisë, gjatë kontaktit me zyrtarët, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se posedonte armë, të cilat, sipas tij, i kishte gjetur në një thes, disa metra larg vendit ku ishte ndaluar automjeti.
Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri: një e llojit AK-47 dhe tri të llojit M-48. Dy personat janë arrestuar fillimisht, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të prokurorit, policia ka kontrolluar edhe adresat e banimit të dy të dyshuarve në Mitrovicë të Jugut, por nuk ka gjetur ndonjë send të kundërligjshëm.
Pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarve, të dy personat janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia ka bërë thirrje që qytetarët të mos i prekin armët apo mjetet e tjera të kundërligjshme nëse i hasin, por ta njoftojnë Policinë përmes numrit emergjent 192