Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen ka theksuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se zhvillimet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Shqipëri.
Gjatë një aktiviteti në Tiranë, të organizuar nga Këshilli Atlantik, Shaheen, e cila ushtron detyrën e kryetares së Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, foli për nevojën e forcimit të demokracisë dhe vazhdimit të partneritetit të Shteteve të Bashkuara me vendet e rajonit.
Ajo vuri në pah sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballet demokracia në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se brezi i ri i liderëve do të ketë rol të rëndësishëm në përcaktimin e së ardhmes së rajonit.
“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet te kufiri. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi këtu”, deklaroi Shaheen.
Sipas saj, ruajtja e stabilitetit në rajon kërkon mbështetje të vazhdueshme për institucionet dhe marrëveshjet që kanë kontribuar në paqe.




