Qasja e njëanshme në shumë raste, gjatë qeverisjes gashtë vjeçare, i ka sjellë poenë politik Albin Kurtit brenda Kosovës, por i ka dëmtuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas shumë përplasjesh, që në një rast kishin shkuar deri në nivel ofendimesh drejt ish-Sekretarit demokrat Antony Blinken, në shtator të vitit 2025, SHBA këtë herë më Administratë republikane, kishte njoftuar zyrtarisht që për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti do të suspendohet Dialogu i Planifikuar Strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës.
Ndërkohë që ky raport i Kosovës më aleatin e saj është lënduar, Beogradi zyrtar në mënyrë aktive ka qenë i angazhuar për të përmirësuar raportin me Washingtonin. Këto përpjekje të diplomacisë serbe kanë kulmuar me nisjen e Dialogut Strategjik me SHBA-në dhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve, derisa Kosovës i është konfirmuar se në një proces të ngjashëm me SHBA’në mund të futet vetëm kur të ketë zbatuar obligimet ndaj komunitetit serb.
Profesori amerikan, Charles Kupchan, i cili ka punuar në Administratën e Bill Clinton dhe Barack Obamas, në një intervistë me shkrim për Gazetën Express ka thënë se Kosova duhet të jetë e shqetësuar për këto zhvillime meqë rrezikon që të mbetet jashtë loje.
Kupchan për Express tha se Kurti gjerësisht në SHBA dhe BE perceptohet si një politikan që ka penguar normalizimin me Serbinë dhe sipas profesorit amerikan, izolimi diplomatik s’është në interesin e Prishtinës zyrtare.
“Po. Kosova rrezikon të lihet jashtë loje. Dialogu strategjik i Prishtinës me Shtetet e Bashkuara është pezulluar. Kosova ka përjetuar një periudhë të zgjatur paqëndrueshmërie politike. Kurti perceptohet gjerësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë si një udhëheqës që ka penguar perspektivat për dialog konstruktiv dhe normalizim përfundimtar me Serbinë. Izolimi diplomatik nuk është në interes të Kosovës”, ka thënë ai .
Sipas bashkëpunëtorit të lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë (CFR) dhe profesorit të çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown, Kosova duhet të futet në lojë, duke potencuar se është në interesin afatgjatë të Kosovës si një vend I vogël që të ketë përkrahjen e BE-së.
