Strukturat paralele serbe në Kosovë i mbajnë serbët lokalë të varur politikisht dhe ekonomikisht, duke i përdorur për tubime e interesa politike, ndërsa i lënë pa mbështetje sapo kërkojnë të drejtat e tyre elementare. Kështu ka thënë Krsta Stojkoviq, një serb nga fshati Moçar i Poshtëm i Kamenicës, i cili ka rrëfyer publikisht mënyrën se si, strukturat paralele serbe në Kosovë i trajtojnë serbët lokalë vetëm si instrument politik dhe jo si qytetarë me të drejta.
Ai në një intervistë me video për Qendrën mediale të Çagllavicës, thotë se kishte punuar për gati tri vite në komunën paralele serbe në Kamenicë, fillimisht me dy kontrata njëvjeçare dhe më pas për nëntë muaj pa kontratë fare, ndërsa pagën e merrte rregullisht. Problemet nisën kur kërkoi të drejtën për një kontratë të përhershme, pasi, sipas tij, ligjërisht i takonte.
“Zbulova se kisha të drejtë për një marrëdhënie pune të përhershme… dhe pasi e kërkova këtë, më pushuan nga puna”, thotë ai.
Sipas rrëfimit të tij, nga 1 maji iu ndërpre puna pa asnjë vendim zyrtar apo dokument me shkrim.
“Nuk më dhanë asgjë në dorë… vetëm më thanë në telefon të mos paraqitesha më në punë”, deklaron Stojkoviq.
Por pjesa më e rëndë e dëshmisë së tij lidhet me presionin politik që, sipas tij, ushtrohej ndaj punëtorëve serbë në sistemin paralel serb në Kosovë.
Ai thotë se për të ruajtur vendin e punës, detyrohej të merrte pjesë në tubime politike të organizuara nga Serbia në qytete të ndryshme.
