Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka reaguar pasi Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë.
Shahini përmes, një postimi në Facebook, ka shkruar se AKB e konsideron shqetësim kombëtar dhe dështim institucional faktin që Kosova, sipas raportit të fundit ndërkombëtar për GDP për kokë banori sipas PPP-së, renditet si shteti i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë.
Sipas tij, ky raport është pasqyra më e qartë e degradimit ekonomik që po i ndodh Kosovës ndër vite.
Postimi i tij i plotë:
Aleanca Kosovare e Bizneseve e konsideron shqetësim kombëtar dhe dështim institucional faktin që Kosova, sipas raportit të fundit ndërkombëtar për GDP për kokë banori sipas PPP-së, renditet si shteti i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë.
Ky raport është pasqyra më e qartë e degradimit ekonomik që po i ndodh Kosovës ndër vite. Është e papranueshme që një vend me resurset më të mëdha njerëzore në rajon, me diasporë të fuqishme dhe me potencial zhvillimor, të vazhdojë të mbetet në fund të Evropës për mirëqenie ekonomike.
AKB vlerëson se institucionet e Kosovës kanë dështuar të krijojnë politika serioze zhvillimore dhe ambiente të favorshme për biznesin dhe investitorët. Përderisa vendet e rajonit po ecin përpara me investime, prodhim dhe eksporte, Kosova po vazhdon të mbijetojë nga diaspora, importi dhe konsumi.
