Departamenti Amerikan i Thesarit ka njoftuar për sanksione të reja që synojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse – Rosneft dhe Lukoil – në një përpjekje për të ushtruar presion mbi Moskën për të negociuar një marrëveshje paqeje në Ukrainë, shkruan BBC.
“Duke pasur parasysh refuzimin e Presidentit Putin për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Thesari po vendos sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinën e luftës së Kremlinit”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, në një deklaratë.
Njoftimi erdhi ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritej të vizitonte Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar negociatat e paqes.
Më herët të mërkurën, Rusia nisi një bombardim intensiv ndaj Ukrainës, pasi Trump tha se planet për një takim me Vladimir Putinin në Budapest ishin pezulluar.
Të paktën shtatë persona u vranë, përfshirë dy fëmijë, gjatë sulmeve intensive me dronë dhe raketa ruse në Ukrainë të mërkurën.
“Tani është koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”, tha Bessent në deklaratën e tij, duke shtuar se zyra e tij do të “ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme për të mbështetur përpjekjet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund një lufte tjetër”.
Ky veprim vjen një javë pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi një paketë të ngjashme sanksionesh ndaj Rosneft dhe Lukoil .
Dy firmat ruse të naftës eksportojnë 3.1 milionë fuçi naftë në ditë. Rosneft është përgjegjëse për gati gjysmën e të gjithë prodhimit rus të naftës, që përbën 6% të prodhimit global, sipas vlerësimeve të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
