Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vizituar për herë të parë selinë e Përbashkët të Forcave të Gardës Kombëtare të Iowas, në një takim ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i ShBA-së në NATO, Matthew G. Whitaker.
Në pamjet që ka shpërndarë Garda Kombëtare e Iowas, Rutte shihet teksa parakalon pranë një hapësire ku janë të vendosura artefakte me motive shqiptare, ndër të cilat është edhe figura e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Po ashtu, aty shihen edhe elemente tjera shqiptare, si një plis, një gur që duket të jetë i Trepçës, sikurse edhe fotografi e gjësende të ndryshme nga Kosova.
Ndërkaq, sipas një njoftimi të Gardës Kombëtare të Iowas në Facebook, diskutimet në këtë vizitë u fokusuan në Programin e Partneritetit Shtetëror të Iowas me Kosovën dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Diskutimi u përqendrua në marrëdhënien e kahershme të Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowas me Kosovën dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë kapacitetet e FSK-së, ndërveprueshmërinë dhe zhvillimin e vazhdueshëm të këtij partneriteti”, u tha në njoftim.
Tutje u tha se për më shumë se një dekadë, “ushtarë dhe pjesëtarë të Forcave Ajrore të Iowas kanë trajnuar dhe bashkëpunuar me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim, përvojë të përbashkët dhe përkushtim ndaj sigurisë rajonale”.


