Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956.
Në fjalën e saj, Shiroka Pula ka vlerësuar guximin e qytetarëve hungarezë në përpjekjet e tyre për liri, dinjitet dhe pavarësi, duke theksuar se këto aspirata mbeten pjesë e rëndësishme e trashëgimisë evropiane.
“Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre”, ka thënë presidentja.
Ajo ka përmendur edhe lidhjet historike ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve, duke përmendur marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Janosh Huniadin dhe djalin e tij, Matias Korvinin.




