Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara. v 1.0.2
Lajme

Shpërthejnë përplasjet, qindra mijëra protestojnë në Francë

GD
Gazeta Demos31 tetor 2026 në 21:24
Shpërthejnë përplasjet, qindra mijëra protestojnë në Francë

Një zyrtar policor në Paris ka mbetur i lënduar pasi është goditur nga një koktej molotovi, gjatë përleshjeve që shpërthyen në kryeqytet dhe qytete të tjera të Francës, në kuadër të protestave kundër rritjes së kostos së jetesës dhe pabarazisë.

Qindra mijëra qytetarë, disa prej tyre të veshur me kostume të Halloween-it, dolën në rrugë në të gjithë Francën, për të tretën fundjavë radhazi. Shumica e demonstratave u zhvilluan në mënyrë paqësore.

Megjithatë, prefektura e policisë në Paris njoftoi se disa qindra protestues të dhunshëm sulmuan forcat e sigurisë me mjete të ndryshme, përfshirë edhe koktej molotovi.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, foli për një nivel të jashtëzakonshëm dhune nga disa protestues, duke fajësuar grupet ekstremiste të së majtës ekstreme për sulmet ndaj forcave të rendit.

Ai e cilësoi hedhjen e koktej molotovit ndaj një polici në Paris si “tentativë për vrasje”, duke shtuar se zyrtari policor kishte shpëtuar me lëndime të lehta.

“Jemi plotësisht të përgatitur për ata që kërkojnë konfrontim sonte”, deklaroi ai.

Pas një marshimi në periferi të Parisit, i zhvilluar në mot me diell, përplasjet mes policisë dhe disa demonstruesve nisën kur procesioni arriti në destinacionin përfundimtar.

Sipas gazetarëve të AFP-së, dhjetëra persona të maskuar dhe të veshur me të zeza përdorën çekiçë për të shkëputur gurët e trotuarit dhe për t’i hedhur në drejtim të policisë. Forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe disa ndërhyrje me shkopinj gome.

Udhëheqësja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, kërkoi që përgjegjësit për sulmin me koktej molotovi të ndëshkohen me ashpërsinë më të madhe.

“Imazhet e një polici të përfshirë nga flakët pasi u sulmua me mjete ndezëse janë të papërballueshme”, shkroi Le Pen në platformën X.

Ndërkohë, në lagjet qendrore të Parisit, République dhe Châtelet-Les Halles, ishte paraparë të vendosej shtetrrethim nga ora 23:00 deri në 06:00, gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës.

Policia arrestoi më shumë se 420 persona në të gjithë vendin.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se “elementë radikalë” në qytete si Bordo, Tuluzë dhe Marsejë kishin tentuar të hynin në qendrat e qyteteve, me qëllim kryerjen e akteve të vandalizmit dhe plaçkitjeve.

Në Lion, qytetin e tretë më të madh të Francës, protestuesit hodhën mjete të ndryshme në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Ndërsa në Tuluzë, policia përdori topat e ujit kundër një proteste të paautorizuar, ku morën pjesë disa mijëra persona.

Më herët gjatë së shtunës, mijëra qytetarë marshuan në pjesën lindore të Parisit, disa të veshur me kostume të ndryshme, nga Spider-Man deri te Frankenstein, ndërsa mbi ta fluturonte një helikopter.

Në pankartat e protestuesve shkruhej: “Nuk ka nevojë për gaz lotsjellës që e ardhmja jonë të duket e zymtë” dhe “Për Halloween jam maskuar si qytetar i zemëruar”.

“Fakti që demonstratat po zhvendosen jashtë qendrave të qyteteve dhe që kaq shumë protesta po ndalohen, është një sulm ndaj lirisë”, deklaroi Alice Hien, zhvilluese e video-lojërave.

Sipas autoriteteve, rreth 320 mijë persona morën pjesë në protestat në të gjithë Francën, përfshirë 70 mijë në Paris.

Ndërkaq, sipas organizatave rinore, numri i pjesëmarrësve ishte afër gjysmë milioni, përfshirë 200 mijë në kryeqytet.

Demonstratat po zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale, ndërsa Marine Le Pen kryeson në sondazhet e opinionit.

Lëvizja protestuese, e cila përfshin aktivistë të “Jelekëve të Verdhë”, sindikata, si dhe nxënës e studentë, fillimisht u përqendrua në kundërshtimin e rritjes së kostos së jetesës, pabarazisë dhe përkeqësimit të kushteve në arsim.

Pas shtimit të masave të sigurisë dhe lëndimit të rëndë të disa protestuesve, kërkesat e lëvizjes u zgjeruan edhe për mbrojtjen më të madhe të lirive civile dhe të drejtës për të protestuar.

Në qytetin verior të Lilës, 47-vjeçarja Aurelie Herrmann mori pjesë në protestë duke kërcyer.

“Unë kërcej sepse në televizion shfaqen vetëm dëmet dhe shkatërrimet, ndërkohë që mund të protestohet edhe në mënyrë paqësore dhe me atmosferë të mirë”, tha ajo.

Ndërkohë, studentët kritikuan policinë për moslejimin e marshimit në qendrën e Parisit dhe paralajmëruan bllokada të reja në shkollat e mesme dhe universitete gjatë javës së ardhshme.

“Duke filluar nga kjo e martë, do t’i bllokojmë universitetet dhe shkollat e mesme. Do ta bëjmë përsëri të enjten, para se t’i bashkohemi protestës së 5 nëntorit, të thirrur nga punëtorët dhe sindikatat”, deklaroi Sabrine Kharbach, zëdhënëse e Unionit Studentor.

Para protestave, disa pronarë të dyqaneve kishin vendosur barriera për të mbrojtur bizneset e tyre.

Ndërkohë, ekonomia e dytë më e madhe në eurozonë po përballet me rrezikun e recesionit dhe presionin për të ulur borxhin publik, duke ia kufizuar qeverisë mundësitë për të qetësuar protestuesit përmes shpenzimeve shtesë./afp.com

qindrapërplasjetmijëra

Më shumë nga Lajme

  • 21:40Katër armë dhe municion sekuestrohen në Zubin Potok
  • 21:23Rregulla e re e ZRRE-së për panelet diellore, Ymeri paralajmëron qytetarët
  • 21:12LVV-ja në zgjedhje, Haxhiu s’sheh arsye për heqjen e Kurtit nga posti i kryetarit: Është më i votuari në vend
  • 21:03Bogujevci, priti në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë
  • 20:42ASK publikon të dhënat: Çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë shënojnë rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026