Vetëm gjatë javës së fundit në Kosovë janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve, ndërsa aktualisht nëntë prej tyre mbeten aktive, sipas të dhënave të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
Drejtori i AME-së, Genc Metaj, në një konferencë për media tha se situata nuk është alarmante, por as e mirë. Ai e përshkroi gjendjen si “stabile, por e brishtë”, për shkak të temperaturave të larta, mungesës së reshjeve dhe rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme.
Metaj theksoi se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një rritje prej 12% të numrit të zjarreve, duke paralajmëruar masa ligjore ndaj personave që i shkaktojnë ato.