Këtë të shtunë është bërë e mundur nxjerrja e dy turistëve nga Kanionet e Gjipesë, ku një çift kishte mbetur i bllokuar pasi njëri prej tyre kishte pësuar thyerje në këmbë gjatë ecjes në terrenin e vështirë.
Pas një operacioni shpëtimi, turisti i dëmtuar u nxor nga kanioni me barrelë dhe po transportohet drejt Spitalit të Himarës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në operacion morën pjesë shërbimet zjarrfikëse të Himarës, Komisariati i Policisë Himarë, shërbimet e Policisë Kufitare të Dhërmiut, si dhe ekipi i Urgjencës së Spitalit të Himarës, të cilët bashkëpunuan për të përfunduar me sukses ndërhyrjen në një zonë me terren të vështirë.Raste të tilla janë përsëritur edhe më parë në Kanionin e Gjipesë, për shkak të relievit të thyer dhe aksesit të kufizuar. /Euronews Albania/
