Mbrëmjen e së premtes, efektivi i policisë rrugore Klajdi Mustaj sapo kishte mbyllur shërbimin në Vlorë dhe po kthehej në shtëpi në Fier kur në Qafën e Koshovicës u bë dëshmitar i një aksidenti të cilin e përshkruan si të tmerrshëm. Pa makina që fluturuan në ajër dhe njëra që shpërtheu në flakë.
“Kam parë dhe kam ndërhyrë në shume aksidente, por ai i mbrëmshmi me ka prekur, jam përfshirë emocionalisht shumë, jam në merak për djalin e vogël që nxora nga makina, lutem që ai të shërohet shpejt”, ka thënë ai për ABCnews .al.
Megjithëse i tronditur 26-vjeçari ruajti qetësinë dhe brenda pak sekondave nxori nga automjeti që po digjej, 4 personat që ndodheshin aty. Të parin shpëtoi një të mitur.
Klajdi Mustaj do të qëndronte në hije dhe ndoshta askush nuk do të mësonte për aktin e tij heroik, nëse momenti nuk do të ishte filmuar nga një qytetar i rastësishëm, video e te cilit beri xhiron e rrjetit.
“Është një betejë në të cilën dua të jem pjese, betejë me parregullsinë, me krimin dhe në mbrojtje të qytetarëve”, u shpreh ai.
