Në një situatë që ngjan me një skenar apokaliptik, vendi po përballet prej 48 orësh me mbi 30 vatra aktive zjarri të shpërndara në të gjitha qarqet.
Ndërsa në dispozicion janë vetëm pesë helikopterë për të përballuar flakët që kanë rrezikuar banesa, jetë njerëzish dhe zona të mbrojtura.
Një numër që, përballë përmasave të situatës, është i pamjaftueshëm dhe i prirur për katastrofa.
Një e tillë nisi me një zjarr të ndezur në oborrin e një shtëpie në fshatin Kullollas, ku një 80-vjeçar humbi jetën, duke u bërë viktima e parë e kësaj vale zjarresh.
Flakët u përhapën në mënyrë të rrufeshme, duke djegur gjithçka, përfshirë shtëpi, bagëti dhe pyje.
“Isha vetëm, gruaja dhe djali në spital. Nuk doja të ikja, kisha shtëpinë dhe bagëtitë. Situata është e vështirë, është djegur çdo gjë”, tha një banor i Skënderbegasit, i asfiksuar nga tymi, tashmë i shtruar në spital.
Vetëm në zonën e Gramshit, u raportuan mbi gjashtë fshatra të evakuuar dhe dhjetëra banorë të asfiksuar.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, e cilësoi situatën si të vështirë.
“Janë 6 ekipe këtu të Urgjencës dhe helikopteri të fusha e sportit dhe sipas emergjencës do i nisim drejt Tiranës. Deri tani nuk ka raste të tilla, po i përballojmë këtu, spitali i Gramshit në gatishmëri, madje kemi edhe nga Trauma dhe Elbasani nëse do të jetë e nevojshme”.
Në terren, veprojnë pesë helikopterë – një nga Forcat Ajrore shqiptare, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një çek dhe një sllovak. Por mungesa e avionëve Canadair, që kanë qenë të pranishëm gjatë operacioneve të 11 gushtit, është ndjerë në këtë krizë.
Ndërhyrja ajrore është vendimtare në zona të paarritshme nga toka, si në Parkun Natyror të Gërmenjit, ku flakët përparojnë mbi një territor të minuar nga predha të mbetura nga lufta.