Dënim i përjetshëm është kërkuar edhe sot për Millosh Pleskoviqin, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit. Në seancën e sotme të Gjykatës së Apelit, është shqyrtuar ankesa e avokates së të akuzuarit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku akuzohet për krime lufte në zonën e Prizrenit.
Kjo seancë është kryesuar nga gjyqtari Mentor Bajraktari, ndërkaq ka munguar prokurori i Apelit.
Gjyqtarja Albina Shabani Rama gjatë paraqitjes së pretendimeve të avokates së të akuzuarit, Jovana Filipoviq, ka thënë se Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e saj.
“Prokurori i çështjes ka parashtruar përgjigje në ankesën të cilën e ka dorëzuar mbrojtje, i cili i kundërshton të gjitha pretendimet e mbrojtjes dhe i propozon Gjykatës së Apelit që ankesa e mbrojtësit të pandehurit, Millosh Pleskoviq, avokates Jovana Filipoviq të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi me numër 54 2024 të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë të vërtetohet. Po ashtu, edhe Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Millosh Pleskoviq dhe të trajtohet si e bazuar përgjigja në ankesë e mbrojtësit të akuzuarit, Millosh Pleskoviq”, tha ajo.
Gjatë seancës së sotme të Gjykatës së Apelit, nëna e dy djemve binjakë të vrarë në Prizren, Mihrije Daçaj kërkoi burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin.
“Mi kanë mbytur, çfarë të bëjë, në mal kanë qenë, kanë shkuar për dru… Ne kërkojmë dënim për jetë”, ka thënë shkurt Mihrije Daçaj.
Dënim kapital kërkoi edhe avokati mbrojtës, Blend Gjini, i cili tutje theksoi se ankesa e avokates është e pabazë.
