Pas përfundimit të afatit për deklarim, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimeve të pasurisë nga zyrtarët publikë, në mesin e tyre edhe krerëve shtetërorë e atyre partiakë.
Nga llogaritë bankare me vetëm pak euro, te banesat qindra mijëshe, tokat me vlerë të konsiderueshme dhe pronat milionëshe, deklarimet e sivjetme të pasurisë kanë nxjerrë në pah kontraste të mëdha mes emrave më të njohur të politikës së Kosovës.
Në formularët e publikuar shihen kursime modeste në para të gatshme, por edhe shtëpi, banesa, toka ndërtimore e bujqësore, garazhe, kredi të papaguara dhe të hyra të konsiderueshme vjetore.
Pas publikimit të regjistrave nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, vëmendja është përqendruar te shifrat, pronat dhe borxhet e liderëve shtetërorë e partiakë.
Pasuria e Albin Kurtit
Agjencia ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së kryeministrit Albin Kurti.
Sipas formularit të hyrat vjetore të Kurtit janë 21 mijë e 315 euro nga paga si kryeministër. Ai gjithashtu i ka deklaruar edhe të hyrat e bashkëshortes nga paga në vlerë prej 51 mijë eurosh.
Në bazë të formularit të publikuar Kurti ka në llogarinë e tij bankare 16.41 euro.
Kurti gjithashtu ka deklaruar se në emër të bashkëshortes në bankë ka 19 mijë e 500 me prejardhje nga paga dhe trashëgimi nga prindi, 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro tjera të vajzës, që sipas formularit e kanë prejardhjen nga familjarët.
Si pasuri të paluajtshme, Kurti ka përmendur banesën e bashkëshortes, në vlerë 530 mijë euro.
Si borxhe, ka deklaruar kredinë e bashkëshortes në vlerë të mbetur 160 mijë euro, dhe ka renditur qiranë e banesës që tash ka deklaruar se e paguan 350 euro.
Pasuria e Albulena Haxhiut
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu, njëherësh kryetare e Kuvendit Albulena Haxhiu, në deklarimin vjetor të pasurisë, ka paraqitur një banesë prej 128 metrash katrorë, në pronësi të përbashkët, në vlerë prej 118 mijë euro.
Kurse në emër të bashkëshortit ajo ka deklaruar një banesë prej 82 metrash katror në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë prej 6 ari në vlerë 15 mijë euro.
Para të gatshme në llogari ajo ka deklaruar se i ka 1531 euro.
Haxhiu ka deklaruar se ka një kredi në vlerë prej 160 mijë eurosh.
Të hyra vjetore personale nga paga, mëditje dhe shtesat e kompensimet e tjera ajo i ka deklaruar mbi 24 mijë euro.
Pasuria e Vjosa Osmanit
Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar si pronë të paluajtshme në emër të saj vetëm një tokë prej 5.10 ari në vlerë prej 35 mijë eurosh.
Në bashkëpronësi ajo ka deklaruar një shtëpi banimi prej 244 metrash katror bë vlerë 208 mijë euro.
