Shtetasi i Kosovës, Ardit Kutleshi, 28-vjeçar, ka pranuar fajësinë lidhur me krijimin dhe operimin e një ueb-faqeje dhe treg të paligjshëm ku kriminelët kibernetikë mund të blinin, shisnin apo këmbenin informacione të vjedhura personale dhe të kishin qasje në pajisje dhe mjete të tjera për të kryer veprimtaritë e paligjshme kibernetike dhe mashtrim, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Kutleshi e pranoi fajësinë në Gjykatën e Qarkut Perëndimor të Pensilvanisë për vjedhje të rëndë të identitetit dhe komplot për pastrim parash.
Ai pritet të dënohet më 9 shkurt 2027 dhe përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej dy vjetësh burgim për akuzën e vjedhjes së rëndë të identitetit dhe një dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim për akuzën e komplotit për pastrim parash. Një gjykatës federal i këtij qarku pritet ta përcaktojë dënimin ndaj tij, duke marrë për bazë ligjet amerikane për këtë çështje.
Ueb-faqja e krijuar, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, quhej Rydox. Domenin e kësaj ueb-faqeje SHBA-ja e ka konfiskuar në dhjetor të vitit 2024.
“Pranimi i fajësisë nga Ardit Kutleshi për operimin e Rydox-it vë në pah skemën e sofistikuar për përfitim nga identitetet e vjedhura dhe mjetet kibernetike”, tha ndihmësprokurori i Përgjithshëm, A. Tysen Duva nga Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë.
Sipas ndihmësprokurorit, pranimi i fajësisë nga Kutleshi dërgon mesazh të fuqishëm te të gjithë “kriminelët kibernetikë se Departamenti i Drejtësisë do t’i identifikojë, arrestojë dhe ndjek penalisht ata pavarësisht se në cilën pjesë të botës gjenden, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, ekspertizës teknike dhe teknologjisë së avancuar për zbatimin e ligjit”.
Ardit Kutleshi, së bashku me vëllain e tij, Jetmirin, me kërkesën e SHBA-së ishin arrestuar nga autoritetet e Kosovës në dhjetor të vitit 2024 dhe ishin ekstraduar në prill të vitit 2025 në SHBA.
