Familja e Gani Kocit ka bërë një apel të ri publik për mbështetje financiare, pasi një nga veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare dhe një nga figurat e angazhuara në rrugëtimin drejt lirisë së Kosovës po vazhdon betejën me kancerin.
Gani Koci ishte një nga organizatorët e demonstratave shqiptare të vitit 1981, për çka u arrestua nga regjimi jugosllav dhe u dënua me 15 vjet burgim. Pas viteve të vuajtjes si i burgosur politik, ai vazhdoi angazhimin për çështjen kombëtare dhe ishte ndër pjesëtarët e hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kontribut në periudhën para dhe gjatë luftës.
Në një përditësim të publikuar nga vajza e tij, familja shprehet se falë donacioneve të mbledhura që nga gushti i vitit 2024, shitjes së tokës së Gani Kocit dhe sakrificave të familjes, është arritur të vazhdohet imunoterapia, e cila kushton 3,500 euro çdo 21 ditë.
Megjithatë, familja thekson se ende nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa specialistët në Zagreb kanë rekomanduar një trajtim të specializuar me radiokirurgji stereotaktike.
