Sot mbahet protesta kundër shtrenjtimit të paralajmëruar të tarifave të energjisë elektrike. Organizatorë të tubimit u kanë bërë thirrje qytetarëve për dalje masive.
Aktivistja Qendresa Hyseni ka thënë se protesta është mjet për ta parandaluar rritjen prej 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike, të kërkuar nga KESCO-ja. Ajo ka paralajmëruar se miratimi i kësaj kërkese nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të ketë ndikim në koston e jetës së qytetarëve.
“Për ne është shumë e rëndësishme që mos me u ndalë si qytetare dhe qytetarë në kërkesën që të mos merret vendimi për shtrenjtim të rrymës, për shkak se kjo automatikisht ndikon në cilësinë e jetës dhe koston e jetës që do të rritet nëse rritet 20 për qind fatura e rrymës”, ka thënë ajo.
Hyseni ka paralajmëruar veprime edhe për ta kundërshtuar vendimin për shtrenjtim të rrymës, në rast se ai merret.
“Kjo protestë do të jetë si nisje e aksioneve të tjera deri në realizim të kërkesave tona dhe pezullim të vendimit. Protesta është për të gjithë qytetarët edhe qytetaret, edhe secili ka të drejtën të protestojë në mënyrën se qysh e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme”, është shprehur ajo.
