Shukri Buja nga PDK së bashku me Sir Geoffrey Nice, avokat dhe ish-prokuror në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) sot kanë vizituar Memorialin Përkujtimor në Reçak.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Buja, i cili gjithashtu bëri të ditur se janë takuar me dëshmitarët e kësaj masakre.
“Sot, me ndjenjë të thellë respekti, përgjegjësie dhe përulësie para historisë, qëndruam në Memorialin Përkujtimor në Reçak, së bashku me mikun e madh të së vërtetës dhe drejtësisë, Sir Geoffrey Nice, si dhe me mikun Taulant Hodaj.
Në tokën ku ndërgjegjja e botës u trondit nga krimi i rëndë ndaj civilëve të pafajshëm, u takuam me banorë dhe të mbijetuar të masakrës, dëshmitarë të gjallë të një plage që mbetet e hapur në kujtesën tonë kolektive. Vizituam kompleksin memorial, shtëpitë dhe vendet kyçe ku u morën jetë të pafajshme, por ku nuk u shua kurrë dinjiteti, qëndresa dhe e vërteta”, tha ai.
