Në protestën mbarëkombëtare të mbajtur në Prishtinë kundër vrasjes së grave, ishte i pranishëm edhe Drilon Cokli, vëllai i Erona Coklit, e cila u vra më 12 prill 2024 në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Ferizaj.
Ai mbajti një fjalim prekës para protestuesve, duke rrëfyer dhimbjen e familjes pas humbjes së Eronës dhe duke kërkuar që rasti i saj të trajtohet me seriozitetin që meriton.
“Me 12 prill 2024 humba motrën time, Eronën, dhe që nga ajo ditë jeta ime nuk është më e njëjtë. Dhimbja ime bëhet edhe më e madhe kur e shoh nipin tim duke e përmendur nënën e tij, duke e kujtuar dhe ndjerë mungesën e saj. Si mund t’ia shpjegosh një fëmije pse nëna e tij nuk mund të kthehet më? Si mund t’ia mbushësh boshllëkun që askush nuk mund ta zëvendësojë?”, u shpreh ai.
Tutje, vëllai i Eronës theksoi se familja nuk është e kënaqur me dënimin prej 24 vitesh burgim për dorasin, duke nënvizuar se asnjë dënim nuk mund ta kthejë motrën e tij, por se ajo meriton drejtësi.
