Ngjarja e rëndë e kësaj jave në të cilën mbetën tre persona të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë, ka shkaktuar reagim në vendin tonë.
Më 10 gusht në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan ndodhi një vrasje e trefishtë. Tre persona të dyshuar lidhur me ngjarjen e rëndë, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjëll Shkodra vazhdojnë të jenë në arrati.
Një protestë është mbajtur sonte para objektit të Gjykatës Themelore në Gjilan, e organizuar nga Qendra sociale “Përpjekja” me moton “Kundër sistemit të kalbur të drejtësisë”.
Protestuesit me këtë rast bënë thirrje që institucionet e drejtësisë që të jenë transparente dhe të ndalojnë dorëzaninë për personat e përfshirë në krim të organizuar.
Gjykata ta vendosë drejtësinë, Sistemi i drejtësisë në shërbim të fajdexhinjve, Drejtësi, jo dorëzani, Kriminelë me çekiç, Pa drejtësi nuk ka demokraci, Gjykata i ka duart me gjak, Ndalim me ligj të dorëzanisë për personat e përfshirë në krim të organizuar, ishin disa nga kërkesat e protestuesve.
Gjyqtarët e prokurorët të mbahen përgjegjës, drejtësia nuk shitet. Nuk pranojmë të shkelemi nga të fortët. I bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë ose reformohu, ose të reformojmë ne, thanë aktivistë të Qendrës sociale “Përpjekja”.
Protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente, ndërsa të pranishëm në mbarëvajtjen e saj ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.