Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar qytetarët e Komunës së Obiliqit se, si pasojë e reshjeve të fundit dhe përmbytjeve të disa rrugëve lokale, ka lejuar hapjen për qarkullim të përkohshëm të rrugës Vodicë – Dardhishtë, e cila kalon përmes zonës së KEK-ut.
Në njoftimin e kësaj korporate thuhet se ky vendim është marrë me kërkesë zyrtare të Komunës së Obiliqit dhe është miratuar nga menaxhmenti i KEK-ut, siç thuhet, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe sigurimit të lëvizjes së qytetarëve deri në tejkalimin e kësaj gjendjeje emergjente.
