Mali i Tërbunit është përfshirë nga zjarri gjatë pasdites së sotme, ndërsa flakët po përhapen në sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, të favorizuara nga erërat dhe kushtet e vështira të terrenit.
Bashkia Pukë ka njoftuar se situata paraqitet alarmante, pasi terreni malor po vështirëson ndërhyrjen dhe depërtimin e mjeteve zjarrfikëse në zonat e prekura.
Në terren janë angazhuar strukturat e Bashkisë Pukë, Shërbimi Zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe punonjës të tjerë, të cilët po punojnë për kufizimin dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.
“Sot, në orët e mesditës, mali i Tërbunit është përfshirë nga zjarri, i cili, i favorizuar nga erërat dhe kushtet e terrenit, po përhapet në sipërfaqe të konsiderueshme, duke rrezikuar dhe djegur sipërfaqe pyjore”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
