Sokol Havolli i LDK-së ka konfirmuar se është shkarkuar nga pozita e Drejtorit të Drejtorisë së Investimeve Kapitale, duke thënë se vendimi i është komunikuar nga kryetari i komunës, Përparim Rama në një takim që kanë zhvilluar javën e kaluar.
Ai ka deklaruar se nuk ka kërkuar sqarime për arsyet e shkarkimit, duke shtuar se pas takimit nuk do të kishte vazhduar punën edhe nëse do t’i kërkohej të qëndronte në detyrë.
Havolli ka thënë se përfaqëson Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ka akuzuar kryetarin e komunës për ndikim politik nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ai ka theksuar se vendimi për shkarkim për të nënkupton humbje besimi dhe pamundësi për të vazhduar bashkëpunimin me kryetarin.
“Është shkarkim. Të enjten kam pasur një takim me kryetarin. Më njoftoi se dëshiron të bëjë disa ndryshime,” ka thënë Havolli për KOHËN, duke shtuar se nuk ka kërkuar sqarime për arsyet e vendimit.
“Unë e përfaqësoj LDK-në dhe normal që ato skena për mua janë të pakëndshme për t’i parë e sidomos për kryetarin e kryeqytetit, për të cilin LDK-ja ka dhënë shumë dhe ka punuar shumë. Kështu që në këtë drejtim për mua nuk ka fare rëndësi veprimi i tij, por fatkeqësisht kryetari nuk e di për çfarë arsye ka rënë nën ndikim të PDK-së”, ka thënë ai.
“Nuk e kam pyetur fare për arsyen sepse pas atij takimi edhe po të më thoshte rri, nuk do të rrija. Nuk do të mund të punoja me të, jo sepse ka qenë ndonjë takim i keq, por praktikisht është takim i humbjes së besimit edhe ndaj tij”, ka thënë ai.