Sot bëhen 20 vjet nga ndarja nga jeta e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Kështu, nën organizimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, do të mbahen një sërë aktivitetesh.
Sipas njoftimit të Presidencës, në orën 10:00, Osmani, organizohen homazhe tek varri i Presidentit Rugova, në Velani.
Në orën 12:00, nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, mbahet Akademi Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Gjithashtu, nën përkujdesjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se, organizon “Akademi Përkujtimore në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të Atit Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova”.
Akademia Përkujtimore do të mbahet sot (e mërkurë), në ora 11:00, në Sallën e Kuqe – Pallati i Rinisë, në Prishtinë.
Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore e ushtarake.
Ka lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë të komunës së Istogut. Shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në qytetin e Pejës më 1967. Ndërsa, ka studiuar në Fakultetin Filozofik- Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe në Prishtinë. Ka doktoruar në fushën e letërsisë në UP më 1984.
Më 1996, Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.
Autor i dhjetë librave, presidenti historik, Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, ai punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.
Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, e cila u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë dhe parti e grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Ai u rizgjodh kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
