Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka publikuar një videoadresim me rastin e 26-vjetorit të themelimit të PDK-së, ku ka shprehur mirënjohje, krenari dhe besim të plotë në të ardhmen e partisë dhe të Kosovës.
“Të dashur anëtarë, aktivistë dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës, sot, në 26-vjetorin e themelimit të PDK-së, partisë sonë, partisë suaj, po ju drejtohem me mirënjohje të thellë dhe me shumë krenari. Urime të gjithëve!”, tha Krasniqi në fillim të mesazhit të tij.
Ai theksoi se PDK-ja është partia që “lindi nga idealet më të larta të lirisë dhe u bë shtylla kryesore e shtetndërtimit të Kosovës”, duke e cilësuar këtë përvjetor si “ditë reflektimi dhe krenarie” për rrugën dhe kontributin e gjeneratave që e ngritën partinë në themelet e shtetit të lirë.
Krasniqi përmendi edhe themeluesit e partisë që aktualisht ndodhen në Hagë, duke shprehur bindjen se shumë shpejt do të rikthehen në Kosovë.
“Edhe këtë herë festa jonë nuk është e plotë, sepse themeluesit tanë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ende nuk janë mes nesh. Por jemi të fortë, me besim të plotë, sepse e ndjejmë: kjo do të jetë festa e fundit pa ta, sepse vetëm pak muaj na ndajnë nga fitorja e drejtësisë.”
Në videomesazh, kryetari i PDK-së bëri edhe një thirrje për mobilizim të plotë në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
