Një grumbull i madh me prova u dorëzuan nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, në momentet e fundit, para se t’i përmbyllej afati për paraqitjen e rastit të saj ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mesin e shumë materialeve, ka edhe dokumente nga institucionet e Beogradit zyrtar. Gjyqtarët e Speciales i pranuan ato në procesin gjyqësor.
Dokumente të lëshuara nga departamenti serb i sigurisë shtetërore. Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP). Nga Komanda e ashtuquajtur e përbashkët për “Kosovën dhe Metohinë”. Të gjitha këto prova me vulë të institucioneve të ndryshme të Beogradit zyrtar, do të rëndojnë mbi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ky është vendimi që e kanë marrë gjyqtarët e Speciales, duke aprovuar në masë të madhe kërkesën e Prokurorisë së Specializuar, për pranimin e provave të fundit në gjykim.
Në vendimin që e ka parë Nacionale, në mesin e dokumenteve, është një që mban vulën e departamentit të sigurisë shtetërore në Serbisë.
“Lidhur me Raportet Serbe, Paneli vëren se Provat e Propozuara 17, 18, 20, 23, 24, 26, 28-30, 33-36, 40-41, 48 dhe 49 janë të datuara, të vulosura, mbajnë një titull dhe një numër protokolli ose reference, dhe tregojnë klasifikimin e tyre. Për më tepër, ato ose janë të nënshkruara ose identifikojnë autoritetin përkatës lëshues. Paneli vëren më tej se Prova e Propozuar 39 është e datuar dhe mban një titull “Departamenti i Sigurisë Shtetërore”. Paneli vëren gjithashtu pretendimet e ZPS-së se përmbajtja e Provës së Propozuar 39 përputhet, pjesërisht, me informacionin e përfshirë në prova të tjera në dosje. Për më tepër, Provat e Propozuara 43-45 janë të datuara, tregojnë klasifikimin e dokumenteve dhe mbajnë një numër protokolli. Përveç kësaj, Prova e Propozuar 45 është e nënshkruar. Lidhur me Provën e Propozuar 51, Paneli vëren se ajo përbëhet nga [REDAKTUAR]. Për këto arsye, Paneli është i bindur se Raportet Serbe janë prima facie autentike”, thuhet në vendimin e Gjykatës Speciale.
Një numër provash që u pranuan në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së, janë dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Serbi (MUP).
“Duke iu kthyer Dokumenteve të Ndryshme Serbe, Paneli vëren se Provat e Propozuara 21, 25, 32 dhe 64 janë të datuara, mbajnë një numër reference dhe një mbishkrim nga Ministria e Brendshme Serbe , dhe identifikojnë autoritetet përkatëse lëshuese. Prova e Propozuar 32 është gjithashtu e vulosur dhe mban nënshkrimet e individëve që kanë marrë dokumentin. Përveç kësaj, Prova e Propozuar 46 mban një mbishkrim nga Ministria e Brendshme Serbe dhe tregon një datë dhe vend të lëshimit”, thuhet më tutje në dokument, raporton Nacionale.
Tjera dokumente, janë disa shënime të mbajtura në takimet e Komandës së ashtuquajtur të përbashkët për “Kosovën dhe Metohinë”. Kjo e ashtuquajtur komandë, kishte synim në kohën e luftës, planifikimin e operacioneve kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe e akuzuar nga Tribunali i Hagës për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.
