Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë reaguar ndaj raportimeve dhe deklaratave të Avokatit të Popullit të Kosovës lidhur me raportin e përgatitur nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit për procedurat gjyqësore të kësaj Gjykate.
Zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep tha se raporti në fjalë nuk përmban asnjë konstatim se ndonjë vendim i gjykatësve ka shkelur të drejtat e të akuzuarve dhe as nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e kësaj gjykate bie ndesh me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut apo tribunaleve të tjera ndërkombëtare, përfshirë Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Zëdhënësit e Dhomave të Specializuara theksuan se raporti nuk konstaton as që vendimet mbi paraburgimin kanë qenë në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut.
“Në raport trajtohet disponueshmëria efektive e mjeteve juridike në Dhomat e Specializuara dhe theksohet se shumë çështje ende janë duke u shqyrtuar nga gjykatësit dhe mund të apelohen në instanca më të larta”, thuhet në reagim.
Sipas DhSK-së, shumë nga çështjet e ngritura nga Avokati i Popullit dhe të trajtuara në raport bazohen kryesisht në argumentet e paraqitura nga ekipet mbrojtëse, ndërsa aty nuk përfshihen qëndrimet e Prokurorisë, të mbrojtjes së viktimave apo arsyetimet konkrete të paneleve gjyqësore.
