Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë një udhëzim administrativ të ministrit në dorëheqje Hekuran Murati për punën e arkave fiskale. Në këtë vendim të Supremes thuhet se Ligji për Qeverinë, përkatësisht nenet 28 dhe 29 e përcaktojnë qartë se mandati i Qeverisë së Kosovës përfundon me përfundimin e mandatit katër vjeçar të Kuvendit dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre deputet.
Gjykata Supreme në këtë vendim ka vlerësuar se ministri në detyrë që ka vendosur nënshkrimin e udhëzimit administrativ, i ka përfunduar mandati me përfundimin e mandatit të Qeverisë dhe s’ka ndonjë autorizim “nënkushtetues përkatësisht publik për të ushtruar funksione të tilla për llogari të Republikës së Kosovës”.
Gjykata poashtu ka theksuar se në kufizimet e Nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryej vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara të Planti vjetor të punës së Qeverisë dhe në Ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore të reja.
Në këtë vendim, Gjykata Supreme konstaton si të pakontestueshëm faktin se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT Hekuran Murati figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe s’mund t’i bëjë të dy punët në të njëjtën kohë.
