Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka folur sot nga veriu i vendit në tre vjetorin e sulmit të Banjskës.
Sveçla deklaroi se tri vjet më parë këtu u zhvillua një ndër betejat më të rëndësishme dhe u arrit ndër fitoret më të mëdha të shtetit të Kosovës, ku shteti u ballafaqua me sulm terrorist dhe shteti doli fitimtar.
“Kjo falë sakrificës së rreshterit Afrim Bunjaku, sakrificës e angazhimit të pakursyer të qindra policëve të tjerë, të cilët me vetmohim me profesionalizëm arritën që të mundnin terroristët e sponsorizuar e të mbështetur e të armatosur e të financuar nga shteti i Serbisë, e që qëllim të vetë e kishin okupimin e një pjese të territor të Kosovës. Kjo fitore solli liri në këtë pjesë dhe veriu frymon lirshëm.Falë kësaj lirie kemi arritur të zbulojmë varreza masive e të identifikojmë presona të pagjetur e të zhdukur dhunshëm nga kriminelët serbë atëherë, nga shteti serb”,deklaroi Sveçla.
Ai tha se “Ky faktorizim, ky frymim i lirshëm jo vetëm tashmë i kësaj pjese, por fuqizimi i shtetit të Kosovës po mundëson që ne të vazhdojmë me punët e mira e punët e mëdha në veri, e të vazhdojmë të kërkojmë për të zhdukur të tjerë e në të njëjtën kohë të fuqizojmë gjithë shtetin”.
Ministri Sveçla tha se falë sakrificës së Afrim Bunjakut, falë angazhimit të të gjithë policëve tashmë kemi mundësinë që të vendosim obelisk për këtë sakrificë për këtë angazhim, ku qytetarët kanë mundësi që prej së afër të njoftohen për ato momente të rënda për Kosovën, për institucionet e për familjen e Afrim Bunjakut dhe për të gjithë policët e angazhuar atë ditë dhe për një fitore e cila është unike për këtë pjesë.
“Përulemi para sakrificës së familjes Bunjaku dhe para angazhimit të pakursyer të të gjithë pjesëtarëve të PK-së, e institucioneve të tjera që në bashkërendim mundësuan që kjo pjesë përfundimisht të çlirohet e të fillojë e të frymojë njëjtë . Lavdi Afrim Bunjakut dhe gjithë dëshmorëve të Republikës”.