Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se vendimi i fundit i Gjykatës Speciale në Hagë është i rëndë dhe i vështirë për Kosovën dhe shqiptarët.
Duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Tahiri tha se qytetarët në të gjithë Kosovën kanë reaguar ndaj, siç e quajti ai, një “padrejtësie historike” ndaj themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Është e rëndë e vështirë për shtetin e Kosovës, për kombin shqiptar, për të gjithë ne, për shkak se jemi ballafaquar me një padrejtësi historike”, tha Tahiri.
Ai theksoi se reagimet nuk kanë qenë vetëm qytetare, por edhe institucionale, duke shtuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës e konsiderojnë përgjegjësi të tyre që të ndërmarrin veprimet e nevojshme.
Tahiri bëri të ditur se PDK-ja ka draftuar amendamente ligjore, të cilat, sipas tij, janë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat në fuqi.




