Lutfije Ademi-Vokshi ka kaluar gati tri dekada mes shpresës dhe dhimbjes, që nga 19 prilli i vitit 1999, kur vëllai i saj, kirurgu Adem Ademi, u rrëmbye nga forcat serbe dhe që atëherë rezulton i zhdukur.
Duke folur në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ajo ka treguar për emocionet dhe shpresën që ka ngjallur zbulimi i një varri masiv në Zubin Potok, ku janë gjetur 23 mbetje mortore, të cilat dyshohet se mund të lidhen me 23 intelektualët e zhdukur të Mitrovicës.
Ademi-Vokshi tha se, pavarësisht nëse njëra prej gjetjeve mortore rezulton të jetë vëllai i saj, dhimbjen do ta ndajë edhe më tej me familjet e tjera që presin prej vitesh për fatin e të dashurve të tyre.
“Unë dhimbjen e ndaj me të gjithë familjarët, pa marrë parasysh edhe nëse gjendet vëllai im. Unë do të vazhdoj të ndaj dhimbjen bashkë me ata familjarë të cilëve iu mungojnë më të dashurit e tyre”, u shpreh ajo.




