Dhjetë orë protestë e dhunshme, përplasje me policinë dhe dëme të shumta materiale në Tiranë.
Protestuesit u zhvendosën nga njëra pikë e kryeqytetit në tjetrën, duke sulmuar godina institucionesh, biznese dhe banka, ndërsa policia ndërhyri në disa momente me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur.
Dhuna nisi te Ministria e Arsimit, ku godina u sulmua sërish me gurë dhe flakë. Të rinj me fytyra të mbuluara shkulën kangjellat e trotuareve, i grumbulluan përpara godinës dhe goditën institucionin me gurë. Përplasjet vazhduan në Rrugën e Durrësit. Protestuesit sulmuan dhe dëmtuan disa biznese private, ndërsa një bankë private e nivelit të dytë u dogj dhe u shkatërrua.
Protesta e dhunshme vijoi drejt Sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit u vunë flakën stolave dhe kazanëve të mbeturinave.
Një tjetër vatër e dhunës ishte Ministria e Ekonomisë. Protestuesit hynë në katin e parë të godinës, shkulën dyer, thyen xhama dhe nxorën orenditë jashtë ambienteve.
Sulmet prekën edhe Ministrinë e Brendshme, ku u godit godina dhe u thyen xhamat.
Më pas, protestuesit u ndanë në dy grupime, njëri në Sheshin “Skënderbej” dhe tjetri pranë Ministrisë së Ekonomisë, për t’u zhvendosur më tej drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u sulmuan ndërtesat, përgjatë tij.




