Presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti kinez, Xi Jinping, dhe ai rus, Vladimir Putin, pritet të zhvillojnë këtë javë një takim të përbashkët në Kinë, në një ngjarje të paprecedentë diplomatike mes tri fuqive botërore.
Takimi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë dhe Ministria e Jashtme e Kinës, ndërsa pritet të mbahet të enjten në qytetin Shenzhen, në kuadër të samitit të APEC-ut.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë çështja e çarmatimit dhe mospërhapjes së armëve bërthamore. Trump ka shprehur besimin se mund të arrihet një marrëveshje e re mes fuqive më të mëdha bërthamore në botë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, ka deklaruar se presidenti amerikan synon të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore, duke theksuar se përhapja e tyre përbën rrezik të madh.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se nuk presin ndonjë marrëveshje konkrete nga ky takim, duke e cilësuar atë si fillimin e një procesi të ri dialogu mes tri shteteve.
Takimi zhvillohet në një periudhë të ndjeshme për sigurinë ndërkombëtare, pasi traktati i fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë ka përfunduar në shkurt, ndërsa Kina po zgjeron arsenalin e saj bërthamor.
Një tjetër çështje që mund të jetë pjesë e diskutimeve është lufta në Ukrainë. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse liderët do të zhvillojnë bisedime konkrete për përfundimin e konfliktit.
Takimi ka nxitur shqetësime në Kiev, ku presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se asnjë marrëveshje për të ardhmen e Ukrainës nuk duhet të arrihet pa pjesëmarrjen e saj.
Zelensky ka shprehur frikën se takimi mund të shndërrohet në një ndarje të zonave të influencës mes fuqive të mëdha, duke e krahasuar këtë rrezik me Konferencën e Jaltës të vitit 1945.
Në agjendën e mundshme pritet të përfshihet edhe Irani, ndërsa në delegacionin amerikan do të jetë edhe sipërmarrësi Elon Musk. Sipas Shtëpisë së Bardhë, megjithatë, Musk nuk pritet të marrë pjesë në takimin trepalësh.