Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, garën politike duket se po e zhvillon më shumë brenda vetes sesa në përballje me Qeverinë Kurti. Kjo po vërehet nga përplasjet e vazhdueshme mes deputetëve të saj.
Se kjo parti është e përçarë, e tregoi përplasja e fundit mes tre deputetëve Vjosa Osmanit, Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit.
Gjithçka nisi pasi ish presidentja Vjosa Osmanit në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 11 nëntor, foli për kritikat ndaj menaxhimit të fondeve në vitin 2020, duke rikujtuar se edhe vetë kishte kundërshtuar atë kohë ndarjen e mjeteve për bizneset, të cilat i cilësoi si fonde të dhëna “bosave të biznesit”. Në këtë kohë kryeministër ishte Avdullah Hoti.
“Por çfarë të them unë kur kritikohemi për standarde të dyfishta e dëgjojmë nga vetë ju standarde të dyfishta? Mbrojtje të dështimeve, arsyetim të stagnimeve, e jo duke e parë veten në pasqyrë me qëllimin pozitiv për t’u përmirësuar. Çka thanë për humbjen e fondeve? Thanë që në vitin 2020 fonde ju paskan dhënë bosave të biznesit. Po! Dhe a e dini kush ka qenë personi që e ka kritikuar këtë më së shumti në atë kohë në këtë parlament? E kam kritikuar unë!”, u shpreh Osmani.
Kjo deklaratë nxiti reagimin e deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili përmes një postimi në Facebook e cilësoi Osmanin si “turiste politike”, duke e akuzuar për oportunizëm politik dhe duke pretenduar se ajo është në kërkim të një oferte të re politike.
“Turizmi politik është aktivitet joetik në politikë. Koha po i sqaron të gjitha. Kur mbaron sezoni i turizmit politik, mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri sa të gjen ofertë turistike politike radhës. Matrapazët politikë edhe mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta. Sërish, koha po i nxjerr në ndritë të gjitha të vërtetat”, reagoi Hoti.
Përveç Hotit, reagoi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila përmes një postimi në Facebook, ku e quajti Osmanin “turiste politike” dhe kundërshtoi pretendimet e saj për fondet e ndara gjatë pandemisë.
“Përgjigje turistëve politikë që kanë mbetur pa pushtet, pa dinjitet, e shpërndajnë mjegull: Mos gënjeni! Në debatin e sotëm u dëgjuan shumë të pavërteta, prandaj disa gjëra duhet t’i sqarojmë. Në vitin 2020, kur ekonomia ishte komplet e mbyllur për shkak të pandemisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj, nuk ju ka dhanë para ’’bosave të biznesit’’, shkroi ajo.
Në vijim të reagimit, Bajrami dha detaje për mënyrën e realizimit të pakos financiare gjatë pandemisë, duke këmbëngulur se mbështetja u ishte dedikuar punëtorëve të sektorit privat dhe se procesi kishte qenë transparent.
“Për realizimin e asaj pakoje kanë punuar rreth 10 shërbyes civilë, përfshirë drejtorin e Thesarit dhe drejtorin e Buxhetit. Kriteri ka qenë i qartë: punëtorët duhej të figuronin në listën e pagave të ATK-së për tre muajt paraprakë. Ka qenë një nga pakot më transparente të mbështetjes financiare që janë realizuar ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës. Disa edhe mund të ma shihni për të madhe që po merrem me njerëz që sot mohojnë edhe biografitë e tyre, të cilëve u vjen turp të pranojnë se pjesë e cilave institucione dhe shumica kanë qenë dikur”, reagoi Bajrami.
Kujtojmë se zgjedhjet e brendshme në LDK mbahen në nëntor të vitit 2027, dhe deri më tani, Përparim Rama, Hykmete Bajrami dhe Arben Gashi janë tre emrat që kanë konfirmuar se do të garojnë për kryetar të LDK-së.
Ndërsa, kreu aktual i partisë, Lumir Abdixhiku ende nuk e ka bërë të ditur nëse do të kërkojë një mandat të ri, ndërsa nënkryetari Lutfi Haziri, dhe deputeti Avdullah Hoti nuk kanë dhënë një përgjigje të prerë nëse do t’i hyjnë garës, kurse Armend Zemaj nuk e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes në garë. Ndërkaq, Kujtim Shala është përmendur si emër i mundshëm nga Avdullah Hoti, por deri më tani nuk ka konfirmuar kandidaturën