Pacientja 25-vjeçare që pësoi djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit, si pasojë e zjarrit të rënë në hotelin ku po qëndronte për pushime në Vlorë, është nisur për trajtim të specializuar në Turqi.
Si pasojë e ngjarjes, gjashtë pushues u lënduan, pesë prej tyre shtetas të Kosovës dhe një shtetas nga Rrësheni.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur sot se që në momentet e para, rasti është ndjekur me vëmendje të plotë dhe qeveria është angazhuar për t’i garantuar çdo ndihmë dhe kujdes mjekësor të nevojshëm.
“Pas zjarrit të rëndë në hotelin në ‘Lungomare’ në Vlorë, Ana vetëm 25 vjeçe, po përballet me një nga betejat më të vështira të jetës së saj. Ajo ka pësuar djegie në rreth 85% të trupit dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore”, u shpreh Koçiu përmes një videomesazhi, shkruan ATSH.
Pas marrjes së ndihmës së parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Koçiu informoi se mjekët rekomanduan vijimin e trajtimit në një qendër të specializuar jashtë vendit.
“Përballë kësaj situate kritike kemi ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur transferimin e saj. Falë edhe bashkëpunimit me autoritetet turke kemi koordinuar transferimin e Anës drejt Turqisë, ku do të vijojë trajtimin dhe do të marrë kujdesin e specializuar që kërkon gjendja e saj shëndetësore”, u shpreh zv.kryeministrja Koçiu.
